Hysaj vlen më shumë se James, Isco, Bonucci e Alex Sandro

Hysaj vlen më shumë se James, Isco, Bonucci e Alex Sandro

Elseid Hysaj është ndër futbollistët më të kushtueshëm në botë. Përfundimi ka ardhur nga Observatori i Futbollit CIES, në përllogaritjet për vlerën e re të lojtarëve.

Një studim i bazuar te shkenca, pas performancave të edicionit që sapo u mbyll, nga i cili doli renditja me 110 emra nga pesë ligat më të rëndësishme, vlera e të cilëve në treg shkon më tepër se 40 milionë euro.

Në këtë klasifikim special, Hysaj pozicionohet në vendin e 87-të, me kartonin e mbrojtësit shkodran që vlerësohet 45 milionë euro. Këtë pozicion kuqeziu e ndan me yllin e Bayern Munichut, David Alaba.
Për t’u theksuar është fakti se në renditje, mbrojtësi i Napolit lë pas emra të rëndësishëm të futbollit evropian – transmeton SuperSport.

Nga Jamie Vardy, Mats Hummels, Renato Sanches e David de Gea, për të vazhduar me Isco, Sergio Busquets, James Rodriguez, Sergio Ramos, Alex Sandro, Dani Carvajal dhe Leonardo Bonucci.

Në përfshirjen mes 100 futbollistëve më të shtrenjtë në botë, ylli i Kombëtares shqiptare rezulton të jetë edhe lojtari i dytë më i vlefshëm te Napoli, ku lihet mbrapa vetëm nga Lorenzo Insigne, ndërsa ka kaluar kapitenin Marek Hamsik.
Për sa i takon kreut, braziliani Neymar pozicionohet në vendin e parë me vlerën në merkato 210 milionë Euro. Sulmuesi i Barcelonës ndiqet nga dyshja e Tottenham, Dele Alli dhe Harry Kane. Lionel Messi është vetëm i katërti me çmim rreth 152 milionë Euro, ndërsa Cristiano Ronaldo pozicionohet i 11-ti me vlerën e portugezit që përllogaritet në mbi 112 milionë Euro.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*