Mourinho: Dua të qëndroj për 15 vite këtu

Mourinho: Dua të qëndroj për 15 vite këtu

Jose Mourinho nuk është i përkohshëm në Old Trafford, portugezi dëshiron të bëhet një pasues i denjë i Alex Ferguson për të lënë një trashëgimi të rëndësishme te Manchester United.

Special One planifikon ta drejtojë këtë skuadër për të paktën 15 vjet për të siguruar vazhdimësinë e rrugës së nisur nga ish menaxheri skocez.

54-vjeçari që e mbylli sezonin me suksesin në Ligën e Evropës beson se mund ta rikthejë United në majën e Anglisë, transmeton SS.

“Unë jam gati për këtë, jam gati të qëndroj për 15 vite këtu. Më duhet ta pranoj se sot është shumë e vështirë të punosh kaq gjatë në një klub për shkak të presionit të madh. Të fitosh çdo vit është një mision shumë i vështirë. Ajo që përpiqem të bëj në një klub është që të tregoj se është puna që ka rëndësi dhe jo rezultatet”.

“Në vizionin tim, puna ime është më shumë se ajo që bëjmë në fushën e lojës dhe gjatë ndeshjeve në fundjavë. Ky klub e ka bërë për shumë vite një gjë të tillë nën drejtimin e Alex Ferguson dhe njerëzit arritën ta kuptonin se sa avantazh të jep fakti kur siguron vazhdimësinë. Pas aventurave të  David Moyes dhe Van Gaal erdha unë dhe tashmë në vitin e dytë shpresoj të kem nisur një rrugë stabiliteti. Mendoj se karriera e Sir Alex është unikale”.

“Nuk besoj se do të ketë njeri që mund ta arrijë një gjë të tillë. Wenger është i fundit që ka një rrugëtim të ngujashëm dhe ajo që unë dua të arrij është që të tregoj se e meritoj të qëndroj për një kohë të gjatë në një klub. Nëse ke sukses gjatë një viti por vitin tjetër nuk ke, atëherë të largojnë. Më ndodhi një gjë e tillë te Chelsea, i ndodhi Ranierit dhe do t’u ndodhë shumë të tjerëve. Në ditët e sotme, njerëzit mendojnë më shumë për ecurinë afatshkurtër”, ka thënë Mourinho.

Një deklaratë e vërtetë dashurie nga Jose për klubin e kuq duke lënë të kuptohet se tashmë që ka fituar gjithçka, objektivi i tij është të përsërisë sukseset e një emri të madh të futbollit britanik, ish menaxherit të Manchester United, Sir Alex Ferguson.

Tags: Mourinjo

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*