OPINION – Ismet Kadriu, vlerat e luftës dhe politika në Preshevë

OPINION – Ismet Kadriu, vlerat e luftës dhe politika në Preshevë

Komandantë, invalidë, ushtarë veteran të luftës, dhe ju përkrahës të denjë të luftës së UÇPMB-së,
Duke pasur parasysh gjendjen tuaj, situatën e mëhershme dhe gjendjen aktuale, rrethanat politike, akuza, shpifjet, dhe etiketimet që po u bëhen juve në përgjithësi e ne veçanti komandanteve ushtarak, janë për keqardhje. Ne si qytetarë të këtyre trojeve, pavarësisht bindjeve politike, fetare, shtresave sociale duhet që të jemi me ju dhe përkrah jush.

Ismet Kadriu , ish këshilltarë  i kuvendit komunal , pjesëtarë i UÇPMB

Si individ si shok i idealit i juaji i dënoj këto akte, manipuluese, përçarëse,denigruese dhe njollosjen e luftës sonë, njollosjen e ushtareve e hierarkisë së saj komanduese të zonave dhe brigadave të UÇPMB-së.
“Ky është një akt turpi, dhe nëse vërtet ka ndonjë njeri që i ka njollosur këto vlera, që ka shkelur mbi parimet e idealit, që në emër të UÇPMB-se, ka mashtruar, ka manipuluar, ka vjedhur, dhe ka përfituar në bazë të meritave mbi besimin qe iu është dhënë për përgjegjësinë që ka pasur si ushtarak, nuk ia jep te drejtën te luaj, dhe nëpërkëmbë, luftën e shenjt të UÇPMB-së.
Nëse dikush është i bindur posedon informacione dhe fakte të sakta, duhet të dalë me ato argumente, të shkruaj e të flasë, të denoncojë me emër e mbiemër. Për kë e ka fjalën ky individ, që ka marrë guximin të shkruaj për manipulimet e komandantëve?! Cili është ai komandant? Për cilin bëhet fjalë?! Ai ka emër, ka mbiemër, kush është ai? Nga kush ka përfituar?
Nëse ka diçka të vërtetë, dhe nëse ka të dhëna që e argumentojnë aktin e turpshëm të cilit do qoftë që ka vepruar në kundërshtim me vlerat e luftës, në kundërshtim me betimin e dhënë para flamurit që te bëhen pjesëtarë të denjë që të rreshtohen në radhët e UÇPMB-së, në luftën për çlirim.
Atëherë detyrë dhe obligim moral është që OVL- ja, si dhe të gjitha strukturat e UÇPMB-së, ta dënojnë atë njeri, për veprimet e pa moralshme të tij. Po ashtu edhe do të distancohen nga njerëzit apo ushtarë ose ushtarak që kanë vepruar dhe veprojnë kundër interesave liridashëse dhe idealit të saj.
Vetë deklarata „komandanta“, përfshin gjithë spektrin hierarkinë komanduese, shtabin dhe strukturat e saja udhëheqëse. Dhe kjo është një çmenduri e dikujt, është një thikë në zemër ndaj të gjithë atyre ushtarëve, tani veteran të luftës, invalidëve, komandantëve, është një vrasje për së dyti e dëshmorëve të rënë në këto troje.
Dhe kush qenkan këta që po derdhin lot krokodili, dhe po ju bren aq shumë ndërgjegjja, më tepër se shokëve te tyre te idealit? Nuk ju përket atyre kjo i përket vetëm atij në emër të kujt dhe kundër kujt ka shkruar, nëse është përmendur emri atij personi, dhe OVL-së, e cila është themeluar, dhe vepron për ti ruajtur vlerat e luftës, dhe përgjegjëse për veprimet e pjesëtarëve qe ishin ushtar të UÇPMB-së.
Sido që të jetë, dikush këtë situatë të krijuar, në emër tuaj është duke e shfrytëzuar, njësoj si ata që kanë shkruar deklarata denoncuese, ashtu edhe ata të tjerët që kinse po solidarizohen me ju, po në realitet po përfitojnë nga rasti që të ju shfrytëzojnë dhe përfitojnë materialisht.
Dhe s’ka fjalë, përpos që të dy këta akterë janë të një kalibri, janë të një brumi, si njëri ashtu edhe tjetri. Arsyeja dihet sepse as ata të parët nuk kanë fare të bëjnë me UÇPMB-në, po ashtu edhe këta të dytët që paraqiten si të ndërgjegjshëm në fakt janë vetëm mashtrues, dhe manipulues të vlerave të luftës, të idealit kombëtar.
Ndryshe nga të parët, ndryshe nga të dytët, nga ata që nuk kanë qenë madje as edhe pjesëmarrës nëpër aktivitete kushtuar ngjarjeve të caktuara të rëndësishme gjatë luftës, që mbahen për nderë të dëshmorëve: manifestime, tubime, përkujtime, homazhe tek vendrënia e dëshmorëve, homazhe ne vendin ku janë varrosur, vizita tek pjesëtarët e familjeve të këtyre të rënëve, që nuk kanë kontribuue me mjete materiale, e me punë vullnetare për gjendjen e vështirë të shumë ish luftëtarëve tani veteranë të UÇPMB-së.
Mirëpo ka njerëz që me të vërtetë që janë angazhuar që këto vlera ti ruajnë, këto vlera ti përhapin, e ti përkujtojnë, që i dinë hallet e dertet tuaja ti qajnë së bashku me të gjithë ata që kanë sot nevojë. E kam fjalën për njerëz të devotshëm atdhedashës dhe me ndjenjat dhe respektin që ushtrojnë për dëshmorët, ushtarët, invalidët e komandantët e UÇPMB-së.
Dhe për këta kam vetëm fjalë miradije, kam respekt dhe i përgëzoj që asnjëherë nuk na kanë zhgënjyer, që janë munduar me mish e me shpirt që të lënë edhe veten e tyre keq, vetëm ti dalin në ndihmë e të kontribuojnë me mjete, punë vullnetare (vënien e pllakave përkujtimore, rregullimin e ambientit rreth tyre, në mirëmbajtjen e tyre), apo edhe moralisht janë dhe vazhdojnë të jenë gjithmonë përkrah me luftëtarët e idealit për liri.
Në emrin tim dhe nëse më lejohet edhe në emrin tuaj i falënderoj për veprën e tyre fisnike, për mundin dhe çdo djersë të derdhur çdo kohë që i kanë kushtuar, veprave tuaja,çdo punë qe kanë berë, ne emër tuaj i falënderojë, zoti ua shpërbleftë atyre çdo vepër të mirë dhe zoti qoftë gjithmonë me ata dhe me familjet e tyre.
Unë jam i njohur me gjendjen e shumë ushtarëve, të komandantëve, të invalidëve, gjendjen socio-ekonomike të familjeve të dëshmorëve.
Disa invalidë të luftës akoma kanë në trupin e tyre pasoja shëndetësore nga plumbat, nga plagët, ka të traumatizuar, ka të pa strehë, dhe thuajse shumica absolute e tyre janë të pa punë.
Mirëpo më tragjikja është se shokët tanë po burgosen po u montohen procese të ndryshme si në serbi ashtu edhe në shtetin e lirë të Kosovës. Ka nga ata që kishin qenë të burgosur dhe tani gjenden në liri, nuk kanë asnjë burim nga çka të mbijetojnë, edhe pse kanë familje rrallë ndokush u del në ndihmë atyre. Falë vullnetit të njerëzve të mirë dikush herë pas here u del në ndihmë momentale. Po a është nevoja që këta shokë tanë të varen dhe mbijetojnë me „vitra” në mëshirën e njerëzve human, pse nuk jan angazhuar institucionet e shtetit që të zgjedhin për gjithnjë statusin e tyre.
Gjithashtu është e njohur edhe gjendja e tyre e qëndrimit atje ku janë, se si i trajtojnë, një tretman më te mirë e kanë ndoshta refugjatët e vendeve arabe, se sa shokët, tanë komandantët tani atje!
Gjithashtu e kemi të njohur se ju përveç të gjitha këtyre fatkeqësive të padrejtave që po ju bëhen, keni ngelur edhe pa dokumentacione identifikimi, pa shtetësi, pa asistenca sociale, pa libreza shëndetësore, pa shtetësinë e merituar.
Dihet se shteti serb që ju kanë ç’lyer nga e drejta për të vazhduar që ta gëzoni shtetësinë , e më tragjike është që edhe shteti I Kosovës nuk ua jep të drejtën e marrjes së shtetësisë edhe pse ju jeni atje më tepër se 17 vite.
Per ju kujdeset vetëm zoti, si duket njerëzit e kanë harruar sakrificën tuaj, njerëzit duhet ta dinë se shumë komandanta qe 17 vite që pas përfundimit të konfliktit të armatosur, I kanë lënë vatrat e tyre, të prindërve, të stërgjyshërve të tyre, vatrat shekullore. Në shumicën e vendbanimeve shtëpive të këtyre ushtarëve e komandantëve kanë mbirë therra, dhe është bërë strehë e zvarranikëve, dhe e brejtësve, oborret e tyre janë shndërruar në gërmadha, të shkreta pa të zotët e tyre.
I pyes këta që po tregojnë dhembshuri, kinse po u dhimbeni ju, se po solidarizohen me ju, a ka qenë ndonjëri ti vizitojë këto shtëpia, jo vetëm një shtëpi, jo edhe të gjitha por vetëm disa nga këto shtëpi të boshatisura? Them me bindje se jo.
Nuk e besoj, shumë nga këta të „ndërgjegjshëm“ as që e kanë idenë se sa ushtar e komandanta tani për momentin jetojnë në Kosovë, këtu nuk e kam fjalën vetëm për politikanët, për subjektet politike, për organizatat e pa varura, dhe institucione tjera vendore. Megjithëse përgjegjësia dhe detyrë parimore ne rend të parë është e tyre.
Por edhe për njerëzit e zakonshëm. Se sa shtëpi të boshatisura pa asnjë njeri të mbyllura në dry ndodhen në komunat e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe te vendbanimeve (fshatrave te këtyre Komunave) te tyre vetëm të pjesëmarrësve të luftës që nga mbarimi konfliktit deri më sot.
Njerëzit ju kujtojnë dhe mendojnë kur kanë nevojë për ju, të flasin fjalë të zjarrta, për lavdin tuaj, ti mbledhin „kokrrat“ në emrin tuaj e njerëzit mendjelehtë i besojnë i duartrokasin dhe i votojnë, kjo është tmerruese sa të pa arsyeshëm njerëz ka, që nuk logjikojnë me mendje të shëndoshë. Përndryshe ata ju kanë harruar, mos u besoni gënjeshtrave të dikujt se për nderin dhe respektin tuaj janë në gjendje të distancohen nga pushteti. Mos e besoni se janë me të vërtet të atillë, sepse te atillët nuk ekzistojnë. Njerëzit e bejnë këtë për interesin e tyre, kjo shihet qartë, ne që jetojmë këtu i dimë këto, nuk e di a e dini edhe ju, nëse besoni keq do të zhgënjeheni, për një interval kohor të shkurtë.
Nuk e arsyetoj dhe nuk e mbroj askënd, por realisht dhe fatkeqësisht janë një numër i vogël nga ata qe i dinë hallet tuaja, dhe sigurisht se ju i njihni ata që me të vërtetë bashkëndjejnë dhe ju përkrahin, sepse këta njerëz ju herë pas here i takoni, vijn dhe ju vizitojnë për të mir e kur keni ju nevoj për ta. Vaj halli sikur mos të kishte të atillë, vaj halli sikur askush të mos kujtohej e të mos kujdesej apo brengosej për ju.
Të nderuar qytetarë, mos bëni pazare me ata që sakrifikuan jetën e tyre, mos bëni tregti me gjendjen dhe ndjenjat e ushtarëve, të komandantëve, të invalidëve, të atyre që e ndihmuan dhe kontribuuan për ju për vendin tuaj. Mos gënjeni veten tuaj dhe të tjerët, sepse ta dini se një ditë të gjitha do të dalin në shesh, gjithçka do të merret vesh, dhe pastaj ku do të mbeteni ju? Si do ti arsyetoni veprimet tuaja?!. Ta keni të ditur se nuk mbetet asnjëherë asgjë pa u zbulue, e vërteta vonon por gjithmonë triumfon.
Pra kujdes mos të ju zëre haku i dëshmorëve, mos të ju zë haku i jetimëve të këtyre dëshmorëve të rënë, mos të ju zë mallkimi i nënave që humben më të dashurit e tyre, mos të ju mallkoj toka e njomur me gjakun e derdhur të atyre që në vete mbajnë plagët e lirisë.
Veprimet tuaja si në çështje private, ashtu edhe ato ne shoqëri per interesin tuaj asnjëherë mos i bëni në emër të ushtarëve, Invalidëve, komandantëve, se ata nuk preken vepra e tyre është heroike e shenjtë, e ju si të doni arsyetohuni, ndryshe, por jo të njollosni heronjtë.
Respekt, për të gjithë ushtarët e idealit e të gjitha luftërave çlirimtare kombëtare, respekt për të gjithë invalidët veteranët e luftës, respekt dhe lavdi për dëshmorët e këtij vendi të shenjtë e të robëruar ndër vite.
Përkulem veprave heroike guximit të çdo luftëtari të idealit, invalidëve të luftës, dëshmoreve të kombit.
Lavdi për jetë e motë, i pa harruar qoftë kujtimi për dëshmorët e kombit.
L A V D I
Ismet Kadriu
Norçë, Preshevë
08.07.2017

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*