Kryetarja Preshevës uron nxënësit për vitin e ri shkollorë

Kryetarja Preshevës uron nxënësit për vitin e ri shkollorë

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani me rastin e fillimit të vitit të ri shkollorë ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë arsimorë.

Kryetarja e komunës së Preshevës Ardita SINANI:

Sot është një ditë feste për fëmijët tanë, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit pasi që po hapen dyert e shkollave në komunën e Preshevës, për fillimin e vitit shkollor 2017/2018.

Dita e sotme është një gëzim i madh për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Preshevës, të cilët pas pushimit veror përsëri do të ulen në bankat shkollore, e gëzim i veçantë do të jetë për shumë fëmijë të cilët do të fillojnë klasën e parë në shkollat fillore. Për ta do të jetë fillimi i sfidave në jetën e tyre, e gjithashtu do të jetë hap i madh në fillimin e ngritjes së tyre intelektuale.

Gjithashtu ditë e veçantë është edhe për prindërit e komunës së Preshevës, të cilët sot përcjellin fëmijtë e tyre në shkolla, me shpresën që ata nesër do të jenë krenaria e familjes, por edhe e shoqërisë tonë.

Me rastin e fillimit të vitit shkollorë, për asnjë moment nuk mund t’i harrojmë mësimdhënësit tanë. Shumë figura publike, e njerëz të suksesshëm në sfera të ndryshme si në Preshevë, e poashtu edhe në rajon e më gjerë, janë sot rezultat i misionit të shenjtë të mësimdhënësve tanë.

Duke parë periudhat e vështira nëpër të cilat po kalon komuna e Preshevës, arsimimi dhe aftësimi profesional nuk ka qenë asnjëherë më i rëndësishëm se sot.

Andaj është obligim i të gjithëve, institucioneve lokale, drejtorive të shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe i gjithë shoqërisë që të bëhen pjesë e konkurencës së dijes.

Duke qenë një kohë të gjatë pjesë e arsimit, sot kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që nga pozita e kryetares fëmijëve t’i uroj suksese të pandërprera, prindërve durim në edukimin e fëmijëve të tyre si dhe mësimdhënësve forcë dhe vullnet në arsimimin dhe edukimin e brezave.

Urime! Fat e suksese!

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*