Kurti uron nxënësit: Modeli juaj të jenë shkencëtarët e jo injorantët që u pasuruan brutalisht

Kurti uron nxënësit: Modeli juaj të jenë shkencëtarët e jo injorantët që u pasuruan brutalisht

I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar sot nxënësit për ditën e parë të shkollës.

Me këtë rast, Kurti ka thënë se po të ishte LVV në qeverisje, sot në gjithë Kosovën do të kishte filluar shpërndarja falas e kifleve, qumështit dhe frutave.

Kjo pasi që, siç është shprehur ai, shumë fëmijë sot shkojnë në shkollë pa u ushqyer.

Më poshtë mund ta gjeni të plotë shënimin e tij në facebook:

Sot është dita e parë e shkollës, dhe u uroj nxënësve, sidomos atyre që fillojnë klasën e parë, që ta përjetojnë me lumturi e gëzim këtë ditë të veçantë. Model i tyre nuk duhet të jenë injorantët që janë pasuruar me brutalitet, por ata që kanë sjellë përparim në shkencë, ekonomi, kulturë e shoqëri.

Në vizionin tonë shkolla dhe edukimi duhet të jetë rruga e përparimit tonë kombëtar, shoqëror e individual, dhe ashtu do të bëhet. Fatkeqësisht shkolla sot vuan mungesën e politikave që nxisin kreativitetin e nxënësit dhe angazhimin e mësuesit.

Shumë nxënës shkojnë në shkollë pa u ushqyer, dhe kjo ndikon në cilësinë e shkollimit të tyre. Po të ishte lejuar krijimi i qeverisjes së Lëvizjes, sot në gjithë Kosovën do të kishte filluar shpërndarja falas e kifleve, qumështit dhe frutave.

Megjithatë ajo ditë nuk është larg.

Edhe një herë, nxënës, mësues e prindër të nxënësve, gëzuar fillimin e vitit të ri shkollor, qoftë i mbarë për të gjithë ju!

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*