AAK-në apo Alternativën: Kë do ta përkrahë LDK në Gjakovë?

AAK-në apo Alternativën: Kë do ta përkrahë LDK në Gjakovë?

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Gjakovës, Bekim Ermeni në një prononcim për Gazeta Blic ka folur për procesin e zgjedhjeve lokale në këtë komunë, rezultatin, si dhe partitë të cilat kanë shkuar në balotazh.

Ermeni ka treguar se ende nuk ka një qëndrim të përgjithshëm të LDK-së, se cilën parti do ta mbështesin në balotazhin në Gjakovë, pasi që këto vendime pritet t’i merr dega.

”Sa i përket qëndrimit të përgjithshëm të LDK-së, diçka mund të ju konfirmoj kryetari i degës, unë kam qenë i nominuar, mirëpo këto vendime i merr dega.”, tha Ermeni.

Sipas tij, dega e LDK-së në Gjakovë pritet t’i mbajë disa takime për t’i analizuar rezultatet e përgjithshme.

”Kemi disa takime për të i analizuar rezultatet edhe qysh kemi kaluar edhe me marr një qëndrim se qysh do të vazhdohet.”, pohoi ai.

Gjithashtu, kandidati i LDK-së ka shtuar se nuk është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, mirëpo ka respektuar vullnetin e qytetarëve.

”Jo, së pari mundem me fol për veten se na nuk jemi të kënaqur, ndërsa sa i përket këtyre dyjave, ky është vullneti i qytetarëve tash ta shohim se qysh po shkon tutje.”, shtoi ai.

Sa i përket preferencave të tij personale, Ermeni ka thene se pasi që ka punuar një kohë me kandidaten e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ai beson se ajo është opsion më i mirë për Gjakovën.

”Personalisht meqenëse kemi qenë pjesë e qeverisë së kaluar dhe kemi punuar gjatë katër vjetët e fundit bashkë me zonjën Kusari-Lila edhe e kam parë se si ka punuar në raport me qysh e kemi marrë qeverinë që ka qenë e AAK-së është dallim i madh, është shumë më mirë është punuar dhe konsideroj që është opsion më i mirë.”, përfundoi ai.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale në Gjakovë Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa ka marrë 31.48% të votave, Ardian Gjini i AAK-së 40.77%, Bekim Ermeni LDK 3.60%, Driton Çaushi nga Vetëvendosje 12.56%.

Në balotazhin e 19 nëntorit garojnë AAK dhe Alternativa.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*