Beogradi tregon “muskujt” përmes Listës Serbe

Beogradi tregon “muskujt” përmes Listës Serbe

Lista Serbe, si parti që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, me mbështetjen e tërësishme të Beogradit zyrtar, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, në garën për kryetarë të komunave ka fituar në 9 prej 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë. Gjithashtu, në Komunën e Kllokotit, Lista Serbe ka shkuar në balotazh.

Pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, karshi partive tjera nga komuniteti serb, fitorja e konfirmuar e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, e nxjerrë këtë parti politike si subjektin më të fuqishëm që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Politologu, Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet komunale, e vërteton faktin që ndikimi i Beogradit është shumë i fuqishëm dhe vendimtar te çdo pozitë politike dhe qëndrim politik i serbëve në Kosovë.

“Platforma politike, por edhe programi dhe fushata, janë bërë gjithashtu nga institucionet qeveritare të Serbisë dhe është thënë se votimi për Listën Serbe do të thotë votim për Serbinë në Kosovë ose për ndikimin e Serbisë në Kosovë. Secili qytetarë (serbë) është dashur ta përkrahë këtë dhe të mos e vë në dyshim, në mënyrë që ta ketë përkrahjen e shtetit serb. Formalisht, është Lista Serbe, por cilido subjekt që do të kishte qenë dhe që e ka përkrahjen e Serbisë, do ta kishte edhe fitoren”, tha Tahiri.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish- deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se me vet faktin që Lista Serbe ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, tre anëtarë në Qeverinë e Kosovës, si dhe tashmë ka siguruar 9 kryetarë komunash, përfshirë edhe një balotazh, kjo e bën atë faktorin më relevant nga bashkësia serbe.

“Por, unë këtë do ta emëroja ndryshe, se kjo në fakt është Beogradi. Për serbët e Kosovës pyetet Beogradi. Me këto zgjedhje, lokale dhe parlamentare, serbët e Kosovës e kanë dorëzuar veten nën menaxhimin e Beogradit. Kjo është esenca e rrëfimit dhe do të vazhdojë edhe më tutje situata ku serbët e Kosovës nuk janë më faktorë politikë në Kosovë, por që ata e kanë deleguar Beogradin që të bisedojë në emër të tyre për gjithçka që është e rëndësishme për ta. Thjeshtë, ata kanë hequr dorë nga mundësia që të ndikojnë në jetët e veta. Kjo është zgjedhje e tyre legjitime dhe kjo është porosi për bashkësinë ndërkombëtare dhe për elitën politike të shqiptarëve të Kosovës, se në fakt, serbët e Kosovës duhet tejkaluar dhe drejtpërdrejtë të bisedohet për të gjitha temat me Beogradin”, tha Miletiq.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale, në Mitrovicë të veriut, shefi i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, e ka quajtur fitoren e Listës Serbe në zgjedhjet lokale, si fitore të Serbisë.

“Fitorja e Listës Serbe është fitore e madhe për të gjithë popullin serb. Kjo është fitore për Serbinë”, ka thënë Gjuriq.

https://rferl-vh.akamaihd.net/i/Pangeavideo/2017/10/b/b7/b7f55ec3-98ce-4916-bd4d-ac9d968de220,_mobile,,_hq,.mp4.csmil/master.m3u8

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*