LDK-ja rikthen primatin, lë mbrapa PDK-në dhe LVV-në

LDK-ja rikthen primatin, lë mbrapa PDK-në dhe LVV-në
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) është rikthyer si partia e parë në vend, duke lënë mbrapa Partinë Demokratike të Kosovës (PDK-në) dhe lëvizjen “Vetëvendosje”. Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare ky subjekt politik ka rritur dukshëm votat e qytetarëve, njëkohësisht edhe “hisen” politike në shumicën e komunave të vendit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) pas shumë kohësh është rikthyer si partia e parë në vend, duke u bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Partia e Isa Mustafës, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga rrjeti i OJQ-ve, “Demokracisë në Veprim” DnV, ka fituar mbi 210 mijë vota, duke lënë prapa PDK-në e Kadri Veselit, që ka fituar rreth 150 mijë vota dhe “Vetëvendosjen” me afro 130 mijë vota.

LDK-ja është edhe partia e cila ka fituar më së shumti komuna pa balotazh, kurse në katër prej shtatë komunave kryesore të vendit ka siguruar edhe një rund, shkruan tutje “Zëri”.

Duke iu referuar të dhënave të DnV-së, pasi që KQZ-ja nuk ka dalë me të dhënat e saj, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar vetëm një komunë pa balotazh, Drenasin, kurse në rundin e dytë do të luftojë në Prizren, në Mitrovicë e në Ferizaj.

Rritje në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale të 2013-ës ka shënuar edhe lëvizja “Vetëvendosje”, megjithëse jo aq sa është pritur pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale këtë vit. Përveç Prishtinës, “Vetëvendosja” ka siguruar balotazhin edhe në disa komuna të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, sipas KQZ-së, në votime kanë dalë 812 mijë qytetarë apo 43.82 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

 

Tags: LDK

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*