Shqiprim Arifi merr mbështetje nga presidenti Ilir Meta

Shqiprim Arifi merr mbështetje nga presidenti Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot dhe zhvilloi një takim, Kryetarin e Partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëkohësisht kryetar i emëruar i Komunës së Preshevës, zotin Shqipërim Arifi.

Presidenti i Republikës vuri në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës në përgjithësi.

Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka bashkëpunimi mes faktorit politik shqiptar në Preshevë dhe në të gjithë Luginën, për realizimin e nevojave dhe interesave politike, ekonomike dhe të të gjitha fushave të jetës për shqiptarët atje.

Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës për realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore, sportive me synim edhe zhvillimin ekonomik të Preshevës.

Presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Luginës duke krijuar një perspektivë më të mirë, në veçanti për të rinjtë.

Ja postimi i plotë i kryetarit Arifi në rrjetin social facebook pas takimit me presidentin Ilir Meta

Është kënaqësi që çdo herë kur të vij në Tiranë, takoj personalitete dhe udhëheqës shtetërorë. Në takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta, pata rastin t’i paraqesë problemet aktuale politike në Preshevë, si dhe të tregoj gatishmërinë tonë që ti ecim përpara projektet zhvillimore në të mirë të qytetarëve tanë. Presidenti vuri ne vëmendje kërkesat tona dhe premtoi se do të jep mbështetjen e tij institucionale në gjithçka që është në favor të qytetarëve tanë.

Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe problemi i regjistrimit të studentëve që është një burokraci e panjohur për studentët e Luginës së Preshevës e që dëshirojnë të arsimohen në Universitetin e Tiranës, ku si konkluzion doli se ata nuk duhen të trajtohen më si të huaj, përkundrazi të kenë privilegje dhe lehtësime të mëdha gjatë regjistrimit, në mënyrë që mos të ndihen të huaj në shtetin tonë amë.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*