Flasin historianët: Shtatorja e heroit Idriz Seferi të vendoset në qendër të Gjilanit

Flasin historianët: Shtatorja e heroit Idriz Seferi të vendoset në qendër të Gjilanit

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri“ përkrah pa rezervë dhe e përgëzon kryetarin e komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri, për vendimin që ka marrë për vendosjen e shtatores së Heroit të popullit – Idriz Seferit në qendër të Gjilanit.

Njoftimi i plotë

Vendimi i kryetarit të Gjilanit që të vendoset shtatorja e heroit Idriz Seferi në qendër të qytetit të Gjilanit-aty ku në vitet e 60/a(më 16 nëntor 1964) të shekullit të kaluar pushteti komunist i kohës kishte vendosur një shtatore, të një ushtari serb të panjohur, pa lejen dhe pa pëlqimin e qytetarëve të Gjilanit, në vend që të përkrahej e të përgëzohej kjo nismë e kryetarit Haziri nga të gjithë ne ditëve të fundit në mjetet e informimit publik dolën disa zëra refuzues gjoja në emër të vlerave kulturore e humanitare të kamufluara edhe me nostalgji për komunizmin e socializmin vetëqeverisës. Kundërshtarët e heqjes së përmendores së sistemit socialist jugosllav, në emër të kinse vlerave artistike, nuk duhet të paraqiten më katolikë se papa siç thotë populli ynë.

Ne si asociacion i historianëve të Kosovës, jemi kundër politizimit të skajshëm nga disa individ të kësaj ngjarje madhore për Gjilanin dhe të gjithë atyre që po e kundërshtojnë këtë nismë edhe me arsyetimin se shtatorja e ushtarit të panjohur-kushtuar partizanëve të Anamoravës, paraqet identitet për Gjilanin iu bëjmë me dije se përmendorja e vendosur në vitet e 60/a(më 16 nëntor 1964) të shekullit të kaluar për shqiptarët nuk ka kurrfarë identiteti por vetëm paraqet apo simbolizon një periudhë të zymtë të sundimit komunist jugosllav në Kosovë pra edhe në Gjilan e të cilin sundim ne shqiptarët e Kosovës e kemi flakë që kur Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe e kemi betonue me Kushtetutën e Kaçanikut të miratuar më 7 shtator 1990.

Është në kompetencë të komunës së Gjilanit si dhe të kryetarit Haziri që të vendos për përmendoren e ish pushtetit jugosllav, ta heq fare apo t`ia gjejë një vend tjetër.

Shtatorja e Kreshnikut të Karadakut-Idriz Seferit duhet të vendoset patjetër në qendër të Gjilanit mu aty përballë shtatores së Agim Ramadanit i cili e theu kufirin shqiptaro-shqiptar në emblemën e UÇK-së më 1999 në Koshare. Këta dy kolos të kombit krijojnë dhe paraqesin identitetin e qytetarëve të Gjilanit dhe më gjerë e jo ndonjë përmendore e partizanëve serb. Kështu këta dy kolos të shqiptarizmës do të qëndrojnë krenar përball njëri tjetrit në zemër të qytetit të Gjilanit.

Me këtë rast nuk e shohim të arsyeshme të flasim për figurën e Idriz Seferit, pasi që besojmë se për opinionin tonë të gjerë është i njohur mirë kontributi i këtij fatosi të kombit tonë në luftërat e shumta që zhvilloi kundër pushtuesve osmanë, serbë e bullgarë thuhet në njoftimin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës të nënshkruar nga historiani Fehmi Rexhepi.

Tags: Idriz Seferi

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*