Hiqen vijat e kuqe në Gjilan, PDK-ja sinjalizon mbështetje për Sami Kurteshin

Hiqen vijat e kuqe në Gjilan, PDK-ja sinjalizon mbështetje për Sami Kurteshin

Vetëvendosja për herë të parë hoqi vijat e kuqe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës përmes Sami Kurteshit. Kandidati i VV-së pohoi se nuk i thotë jo asnjë partneri për koalicion, përfshirë këtu edhe PDK-në. As ish-kandidati i PDK-së, Zenun Pajaziti, nuk mohon mundësinë e krijimit të koalicionit me VV-në, nëse kanë ofertë.

Kandidati i Vetëvendosjes për Gjilanin, Sami Kurteshi, dje në një debat televiziv tha se nuk ka vija të kuqe me PDK-në, por kjo vlen vetëm për komunën ku ai garon.

“Për herë të parë do të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse që pranon dhe pajtohet me programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje. Për herë të parë ne do të bëjmë përpjekje që të marrim edhe pjesë nga programet e tjera në të mirë të Gjilanit”, ka thënë Kurteshi.

Përderisa VV-ja është e tëra e kuqe për nga vijat, PDK-ja vazhdon të mos ketë asnjë inat politik, që do ta ndalonte për ndonjë koalicion.

Ashtu siç e thotë tradita e PDK-së, edhe Zenun Pajaziti, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit mori mbi tetë mijë vota thotë se i vjen mirë për qëndrimin e Kurteshit.

“Më vjen mirë për një qëndrim të tillë të zotit Kurteshi. Ne e ndajmë me të një të kaluar me plot angazhime të përbashkëta për vendin”, ka thënë Pajaziti.

Në përgjigjen e tij dhënë Gazetës Express, Pajaziti ka lënë të kuptohet se PDK-ja mirëpret ofertën nga Vetëvendosja.

“Ne nuk kemi marrë deri më tash ndonjë qëndrim partiak. Nëse ndërkohë do të kemi ndonjë ofertë për të kontribuar me platformën tonë për zhvillimin e Gjilanit që ne e shpalosëm në fushatën zgjedhore, ne do ta shqyrtojmë seriozisht”, ka thënë më tutje ish-kandidati i PDK-së në Gjilan.

Në këtë komunë të Anamoravën në rrethin e dytë të zgjedhjeve garojnë Lutfi Haziri i LDK-së dhe Sami Kurteshi i Vetëvendosjes ndërsa deri më tani nuk është bërë zyrtare asnjë marrëveshje e partive politike për përkrahje të ndonjërit prek kandidatëve në garë

 

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*