Kush e montoi rastin e Kumanovës?!

Kush e montoi rastin e Kumanovës?!

Hetimi ndërkombëtar për zbardhjen e ngjarjes në Lagjen e Trimave është vetëm një kërkesë politike, dhe jo e institucioneve përgjegjëse të drejtësisë.

Ish-regjimi i përbërë edhe nga rrjeti i prokurorëve dhe gjykatësve nuk po parapëlqen që ky mister të mos zbardhet asnjëherë për të dalur e vërteta në shesh.

Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës ka qenë i vazhdueshëm, por nuk tundon drejtuesit e pushtetit në Maqedoni.

Ish-kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë, Haxhi Shala, në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA kishte deklaruar se rasti i Kumanovës u inskenua nga pushteti aktual në Maqedoni.

“Fatkeqësisht pak a shumë është i njëjti regjim “modern” që vije nga pushteti në të dyja vendet, si në Kosovë por edhe Maqedoni. Vet besimi që qytetarët shqiptarë në Maqedoni, i kanë dhënë pushtetit shqiptar të atjeshëm, me anë të votës së tyre, është kthyer si kthetër duke e vulosur keq-qeverisjen me ngjarjen në Lagjen e Trimave.

Në anën tjetër etja për pushtet bën që shqiptarët e Maqedonisë edhe pse janë shumicë për nga demografia, të futen në koalicione të tilla dhe të mos punojnë në interes të së drejtës shqiptare”, është shprehur Shala,i njohur si komandant Topi.

Bashkëpunëtorja profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë (IHKL) Fetnete Ramosaj, në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, thotë se rastet e montuara kundër shqiptarëve janë turpi i drejtësisë në këtë vend.

“Rasti i Kumanovës, Monstrës, por edhe raste tjera gjyqësore të montuara kundër shqiptarëve, janë turpi i drejtësisë në Maqedoni. Është skandaloze që në shekullin 21, në një vend që mëton anëtarësimin në strukturat euro-atlantike të bëhen padrejtësi të tilla, të aplikohen mjete e metoda të regjimeve totalitare më zi se në kohën e inkuizicionit.

Është detyrë urgjente e klasës politike shqiptare, e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e intelektualëve dhe e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, të ngrenë zërin e protestës në të gjitha nivelet ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi për njerëzit e pafajshëm, të dënuar edhe me dënime kapitale për krime që nuk i kanë bërë, gjë që është e patolerueshme”, shprehet ajo.

Pas ngjarjes së Kumanovës, e cila ndodhi më 9 maj të vitit të kaluar, ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko pati kërkuar nga autoritetet e Shkupit, përgjigje të qarta për ndodhitë e përgjakshme në Kumanovë.

Por, deri më tani ai nuk ka marr asnjë përgjigje, por edhe mbarë opinion në Maqedoni dhe më gjerë nuk e ka qartë rastin e Kumanovës, njofton agjencia e lajmeve INA.

E gjitha ajo çka po shohim deri tani nga autoritetet e Shkupit është “e mbuluar me një mjegullnajë, dhe njerëzit janë të tmerruar”, ka theksuar Majko, duke shtuar se “i takon Maqedonisë që të japë përgjigje të plota lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Kumanovë dhe të mos e bëjnë këtë shërbimet inteligjente”.

“Është mirë që qytetarët dhe opinioni publik që po ndjek situatën në Maqedoni ta marrin vesh ngjarjen tani dhe jo më vonë nga xhirimet apo survejimet e shërbimeve inteligjente. E them këtë pa asnjë sens ironie, pasi hyj te njërëzit që ndihem i dëshpëruar që historia e Maqedonisë po shkruhet nga shërbimet inteligjente dhe jo nga politikanët e Maqedonisë”, pati deklaruar ai.

“Ajo që unë kam dëgjuar është pjesa e deklaratave shumë të fryra do t’i quaja për ‘grupin më të rrezikshëm terrorist në rajon që është eliminuar’. Pres të dëgjoj prova se kush është ky grup terrorist, si ka ardhur, pse ka ardhur, kush e ka ftuar, kush e ka strehuar, cili ka qenë informacioni i parë bazë, mbi ç’vendimmarrje është bërë dhe mbi ç’logjikë ka ecur operacioni, sa është pasur parasysh bashkëpunimi me komunitetin,” ka shtuar më tej Majko.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*