Preshevë:Të mos ofendoni e mos bini pre e ofendimeve

Preshevë:Të mos ofendoni e mos bini pre e ofendimeve

Në një vend të vogël me probleme të mëdha ofendimi ndaj tjetrit nuk duhet të shndërrohet në vlerë. Para se ta ofendoni tjetrin pa fakte e me montime qesharake, është mirë t’i trajtoni problemet dhe, njëkohësisht, zgjidhjen e tyre.

Shkruar nga Fatlum Hetemi-Preshevë;

Objekti i fushatës nuk duhet të jetë zotësia për të sharë apo për të montuar gjithfarë gjërash bajate, por objekt i fushatës duhet të bëhet zgjidhja e problemeve që rëndojnë me vite mbi qytetarët preshevarë.

Cilido subjekt politik që ofron zgjidhje për problemet përmes një platforme konkrete të paraqitur para qytetarëve, ai subjekt i ka punët më mirë dhe herë do kurdo do të jetë në krye të qeverisjes komunale. Ndërkaq, këta që platformën e vetme e kanë denigrimin e tjetrit, montimin e përdhosjen e çdo gjëje në politikë, herët a vonë do të mbeten e kaluara e pakujtueshme. Prandaj, kujdes, mos ofendoni e mos hapni profile false nëpër rrjetet sociale, sepse një ditë mund të jeni objekt i këtyre edhe vetë. Mos hapni profile false për të ofenduar të tjerët, jo vetëm për arsyen që është e padenjë, por edhe për faktin se kemi nevojë për shumë energji në zgjidhjen e problemeve përmbajtjesore. Këto probleme janë shumë dhe, si të tilla, duhet të merren seriozisht nga të gjithë oponentët. Nuk e kemi luksin e matjes se patriotizmit ndër vete, sepse koha kërkon që patriotë të jemi të gjithë për sigurimin e një mirëqenie më të mirë për qytetarë; për më pak probleme politike; për më shumë të drejta; për më shumë zhvillim ekonomik dhe për një udhëheqje të përgjegjshme e të ndërgjegjshme. Në rast se cilado parti harxhon energji për denigrimin e gjithsecilit që nuk pajtohet me të, atëherë jemi pajtuar me problemet që rëndojnë mbi ne.

Shpeshherë nëpër mbledhje partish e leksione të ndonjë “eksperti fushatash” mund të dëgjoni të kundërtën, pra që përdorimi i metodave meskine për ta mposhtur kundërshtarin është i pranueshëm, ju, kushdo qofshi, nuk duhet të bini pre e këtyre manipulimeve. Në Preshevë nuk ka vend për këso lloj fushatash, se pari, për shkak se jemi vend i vogël dhe, së dyti, për shkak se nuk guxojmë të harxhojmë energji në këtë drejtim. Mbi qytetarin e Preshevës rëndojnë shumë probleme të tjera dhe i gjithë potenciali i subjekteve politike duhet të drejtohet në zgjidhjen e tyre, e jo në ofendimin e tjetrit për të zënë një karrige në qeverisje dhe për t’i harruar problemet e tyre. Madje, në çdo vend, një gjë e tillë është e papranueshme dhe në kushte normale prodhon kundërefekt.

Jemi vend i vogël, mos harroni, prandaj mos ofendoni!

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-ZeriLugines

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*