Vazhdon diskriminimi ndaj diplomave të Kosovës në Luginë të Preshevës, politika hesht?

Vazhdon diskriminimi ndaj diplomave të Kosovës në Luginë të Preshevës, politika hesht?

Në bazë te cenzusit të Minoriteteve Etnike në Serbi të vitit 2002 jetojnë këto minoritete: Shqiptarët, Ashkalinjt, Boshnjakët, Bullgarët, Bunjevcët, Kroatët, Egjiptianët, Grekët, Hungarezët , Maqedonët, Romët,Sllovakët, Ukrainasit.

Shkruar nga: Shkodran Azizi-Preshevë;

Serbia poashtu ka ratifikuar dy Këshilla kryesor të Instrumentuar nga Europa që i sigurojnë minoriteteve të drejtata e tyre: Konventën për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare (në vitin 2001) dhe Statutin Europian për gjuhët Rajonale ose të pakicave (në vitin 2006). Veç kësaj, Serbia ka nënshkruajtur marrëveshje bilaterale me katër shtete fqinje për mbrojtjen e pakicave : Romaninë (2002), Hungarinë (2003), Kroacinë (2004), dhe Maqedoninë (2004).

Neni 14 i kushtetutës së Serbisë, e cila hyri në fuqi në vitin 2006, konfirmon mbrojtjen e pakicave kombëtare si një nga parimet kushtetuese të shtetit serb. Pa dyshim se Shqiptarët e Preshevës janë ndër më të diskriminuarit në Serbi, e ndoshta edhe më gjërë. Duke filluar nga përdorimi i simboleve kombëtare, gjykatat, ndalimin e investitorëve të huaj, duke e konsideruar Preshevën si zonë të rrezikshme e deri tek njohja e diplomave, sidomos ata që kanë studjuar në Prishtinë.

Gjatë bisedimeve të zhvilluara Kosovë – Serbi, një herë në nivel kryeministrash, e pastaj në nivel presidentësh ishin dakorduar që pjesë e bisedimeve të jenë edhe diplomat e Republikës së Kosovës.

Në fillim ishin dakorduar që përmes një zyreje në Ministrinë Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Rep. e Kosovës të gjithë ata që kanë diplomuar në Kosovë ti dorëzojnë aty diplomat, ku prej aty do të dërgoheshin në Bruksel, do të përktheheshin dhe do të pranoheshin nga shteti Serb.

Shumica e studentëve e kemi bërë këtë. Por, pas kësaj gjatë bisedimeve u dakorduan që diplomat të dërgohen në Beograd dhe atje të nostrifikoheshin nga Serbia.

Ka shumë student që kanë dërguar diplomat dhe nuk kanë akoma përgjegje nga shteti Serb. Dikush është duke pritur 1 vit, dikush 2, e dikush edhe më shumë. Kur Edi Rama vizitoi Preshevën dhe mbajti fjalimin e tij historik, ku u fascinuam të gjithë tha: kam biseduar me Aleksandër Vuçiq atëherë kryeministër i Serbisë dhe se diplomat do të pranohen. Por, ajo mbeti në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, pasi që nuk u realizua kurrë.

Ajo çka është më tragjike, prej tash e tutje ata që kanë diplomuar në Prishtinë, dhe ju shkruan në diplomë Republika e Kosovës do të paguhen me shkallën e 4 (dmth do të paguhen me shkollë të mesme).

A mund ta paramendoni se sa të rinj / reja janë të punësuar nëpër institucione të arsimit në Komunën e Preshevës, e që kanë përfunduar studimet në Prishtinë. Me çfarë motivi ata / ato do të punojnë ? Çka i motivon ata që të vazhdojnë të jetojnë në Preshevë ? MIZORIA më e madhe është kur profesorët që kanë përfunduar studimet pasdiplomike Master, detyrohen që atë diplomë ta vënë në sirtar, sepse këtu fatkeqësisht nuk ka asnjë vlerë.

TRAGJEDIA edhe më e madhe është se ASKUSH nuk ka reaguar për këtë padrejtësi ! As Këshilli Nacional, as pushteti lokal,(kryetari i organit të përkohshëm është i zënë duke u sillur si mbret prej një pozite të përkohshme), partitë tjera të zëna se si ta fitojnë pushtetin, as populli që ka kohë që ka rënë në gjumë dhe asesi nuk po mund të zgjohet, as Shqipëria(që e ka detyrim me kushtetutë e ka detyrim me kushtetutë që t’i mbrojë Shqiptarët jashtë kufijve Neni 8 1.Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. 2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. 3.Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare) e as Kosova.

Këto dy të fundit i kanë dertetet e veta, por jam i bindur se nëse kjo ju kishte ndodhur Serbëve që jetojnë në Kosovë, qeveria e Serbisë do ta kishte ngritur këtë çështje në OKB.

Kjo është njëra nga metodat që përdorë Serbia që të rinjtë të largohen nga Presheva. Përderisa qeveria e Serbisë bënë çmos që Serbët të mos largohen nga Kosova; Kosova dhe Shqipëria nuk bëjnë asgjë që popullata shqiptare të vazhdojë të qëndrojë në Preshevë.

Prandaj i bëjë kërkesë Këshillit Nacional, partive politike në Preshevë dhe Bujanoc, që urgjentisht të mblidhen të diskutojnë dhe të ngrisin këtë padrejtësi në nivelet më të larta. Të njoftojnë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës për këtë padrejtësi.

Të flasin deputetët në parlamentin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Të njoftohen të gjitha ambasadat, dhe OSBE.

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-ZeriLugines

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*