Katër gola arsyetojnë derbin: Arsenal dhe Chelsea ndajnë pikët (Foto/Video)

Katër gola arsyetojnë derbin: Arsenal dhe Chelsea ndajnë pikët (Foto/Video)

Arsenal dhe Chelsea kanë ndarë pikët në xhiron e 22-të të Ligës Premier.

Derbi londinez përfundoi me rezultat 2-2, ku të pranishmit në shkallët e stadiumit ishin dëshmitar të një ndeshje me plot shanse dhe katër gola.

Raste të shpërdoruara, shtylla të goditura, por porta të pamposhtura e karakterizuan pjesën e parë.

Alvaro Morata i gjendur i vetëm para portës së portierit të Gunners, Petr Cech dërgoi topin prapa portës.

Por, topi nuk e kaloi vijën e bardhë të portës edhe në rastin kur Alexis Sanchez goditi dy shtyllat vertikale të Thibaut Courtois.

Edhe një rast të mirë për shënim e pati Cesc Fabregas, kur në sekondat e fundit të pjesës së parë mori një pasim të saktë nga Eden hazard, megjithatë topin e dërgoi tek shikuesit.

Katër minuta me të filluar pjesa e dytë, Cech sërish nuk lejoi t’i mposhtet porta duke i mbrojtur një gjuajtje Hazardit.

Dy minuta më pas Lacazette nga pesë metra afërsia nuk arriti të realizoi gol duke gjuajtur topin ne trupin e Courtois.

Por, pjesa e dytë ishte një spektakël i vërtetë, ku pos disa rasteve të pastra, u shënuan edhe katër gola.

Jack Wilshere shënoi gol për Arsenalin pas dy vjet e gjysmëve, ku mesfushori anglez arriti të realizoi gol në të 63 minutë. Topi para se të përfundoi në gol, goditi shtyllën horizontale dhe më pas shkoi në portë.

Pas tre minutash, Eden Hazard barazoi rezultatin përmes penaltisë, ku paraprakisht belgu ishte penguar në zonën e rreptësisë nga ana e Hector Bellerin.

Marcos Alonso shënon gol gjashtë minuta para përfundimit të takimit, duke u gjendur më së miri para portës së vendasve.

Por, Bellerin arriti të barazoi rezultatin në të 90 minutë, ku shfrytëzoi më së miri hapësirën e krijuar prej futbollistëve të mysafirëve duke goditur topin fuqishëm nga 13 metra.

Deri në fund të ndeshjes më nuk pati gol, dhe kështu takimi përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.

Pas kësaj, Arsenal ka 39 pikë dhe zë pozitën e gjashtë ndërsa Chelsea gjendet në të tretin me 46 sosh.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*