Nebi Neza Nuhiu nga Presheva i rrëmbyer para 18 viteve, hetimet vazhdojnë?

Nebi Neza Nuhiu nga Presheva i rrëmbyer para 18 viteve, hetimet vazhdojnë?

Nebi Neza Nuhiu, pronar i pikës së karburantit „Neza petrol“ në Preshevë, është rrëmbyer qysh në 2 shkurtin e vitit 2000, gjatë kohës së konfliktit serbo-shqiptar në jug të Serbisë.

Nga atëherë e deri më sot, për të nuk dihet asgjë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së lartë publike në Vranjë Lleposava Jovçiq, shtatëmbëdhjetë vjetë më vonë, thotë se lidhur me këtë rast ekziston lënda e formuar në këtë prokurori.

“Është formuar lënda në Prokurorinë e lartë publike në Vranjë, lidhur me ngjarjen e përmendur penalo-juridike. Ekzekutuesi i veprës penale të kidnapimit nga neni 64. i Kodit penal të Republikës së Serbisë (të ligjit të mëparshëm v.a.) nuk është i njohur. Organet e zbulimit deri më sot nuk ia kanë dalë që të konstatojnë se kush e ka kryer këtë vepër, e as rrethanat nën të cilat e gjithë kjo kishte ndodhur”, thekson Joviçeviq.

Në atë kohë kryetar i Komunës së Preshevës ishte Riza Halimi, kryetar i Partisë për veprim demokratik (PVD), partisë më të madhe shqiptare në jug të Serbisë. Ai për portalin Vranjske thotë se ky është njëri ndër rastet më të rënda, nëse jo edhe më i rëndi i asaj periudhe.

“Si deputet popullor e kam inicuar këtë çështje disa herë në Kuvendin e Serbisë, mirëpo dështuan të gjitha tentimet e mia që hetimet për këtë çështje të lëvizin nga pika zero. Rasti është proceduar kundër personave NN, mirëpo e gjithë kjo më vonë mbeti skutave. Ky është rast klasik në të cilin gjyqësori serb nuk ishte në lartësinë e duhur për zgjidhjen e tij”, thotë Halimi.

Shaip Kamberi, gjatë kohës së rrëmbimit të tij ishte kryetar i Këshillit për të drejtat e njeriut në Bujanoc, ndërsa tani kryetar i Komunës së Bujanocit, thotë se deri në këtë moment hetimi nuk ka dhënë kurrfar përgjigje të qëndrueshme në pyetjen se kush dhe si e ka rrëmbyer Nebi Nuhiun.

“Pra kemi të bëjmë me një rast të pakapshëm për drejtësinë, me një rast që shkakton pasiguri të përgjithshme te shqiptarët. Ky është rasti për të cilin shteti dhe organet e tij do të duhej patjetër të siguronin përgjigje në afatin e paraparë ligjor, mirëpo nuk e bënë”, thotë Kamberi.

Vajza e të rrëmbyerit, Flora Nuhiu (1977), i kishte dhënë një deklaratë unike Fondit për të drejtën humanitare nga Beogradi, në të ciliën kishte përshkruar ngjarjet në kohën kur ishte rrëmbyer.

“Rreth orës 14.00, në pikën tonë të karburantit, ishin ndalur dy vetura – një mercedes i bardhë me targa të Vranjës dhe një audi me ngjyrë oker. Nga ajo veturë dolën katër të rinjë. Të gjithë flisnin serbisht, ishin të moshës mes njëzetë e tridhjetë vjeç, me trupa korpulent. Njëri prej tyre, i cili kishte flokët shumë të shkurtëra, tha se janë nga Mali i Zi dhe kishte pyetur ku është Nebiu. Meqë babai ynë nuk ishte aty, tha se do të vinte më vonë, pasi që iu duheshin goma për vetura” kishte thënë Flora.

Atëbotë në pikën e karburantit punonte një i afërm i familjes Nuhiu, ndërkaq aty kishte qëlluar edhe Florini, vëllau i vogël. E gjithë kjo situatë me asgjë nuk paralajmëronte atë që do të ngjajë pas pakë kohësh. Pas asaj bisede të shkurtër, katër të rinjët futen në veturat e tyre dhe shkojnë në Preshevë, prej ku po të njëjtën ditë u kthyen rreth orës 17:00.

“Babai im tani ishte aty dhe ata kërkuan prej tij goma për vetura. Kur ai iu tregoi ato, ata e pyetën a janë vetëm këto që po i shohin të ekspozuara, ndërkaq kur iu tha se ka edhe të tjera në bodrum, ata kërkuan që t’i shihnin. Pas disa minutash, dolën nga bodrumi bashkë me babain tim dhe u nisën drejtë veturave. Babi ishte i heshtur, ndërsa kur u ul në veturë, njërën këmbë e kishte lënë jashtë, duke mos lejuar mbylljen e dyerve të veturës”, kujton Flora detajet e ngjarjes.

Flora dhe i afërmi i tyre, sipas deklaratave të tyre, vërejnë se situata është e tensionuar dhe jonormale. Meqë diçka e tillë nuk kishte ngjarë asnjëherë, menjëherë, pasi që veturat bashkë me rrëmbyesit ikën nga prona e tyre, rastin ia paraqitën policisë. Të njëjtën ditë informata për rrëmbimin kishte arritur në Trupin koordinues për komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, që atëbotë udhëhiqej nga Nebojsha Çoviq, nënkryetar në Qeverinë e atëhershme të Zoran Gjingjiqit.

Pas gjysëm ore rrëmbyesit lajmërohen përmes telefonatës. Një zë burri kërkonte që sa më parë t’iu dërgohen 110.000 marka gjermane, duke kërcënuar se në të kundërtën do ta vritnin Nuhiun.

Familja e tronditur nga kjo kërkesë kërcënuese ia doli t’i grumbullonte 75.000 marka gjermane, ndërkaq punëtori i pikës së karburantit, i cili ia kishte dërguar paratë rrëmbyesve kështu e përshkruan këtë ngjarje.

“Sipas udhëzimeve të Florinit, mora paratë dhe telefonin mobil dhe u nisa për Vranjë. Vozisja ngadalë, ndërsa menjëherë pas nisjes vërejta se me një veturë më përcillnin isnpektorët policor nga Presheva”,  tha ai.

Në vazhdim të rrëfimit të tij, ai tregon se si, mbase për shkak të ngasjes së ngadaltë të veturës, policia e kishte ndalur afër Bujanocit, mirëpo rrugën e kishte vazhduar pas intervenimit të njërit prej inspektorëve të policisë që përcillnin veturën e tij.

“Në hyrje të Vlladiçin Hanit, Flora më urdhëroi të ndalem, meqë kështu prej saj kishin kërkuar rrëmbyesit. Me atë rast pashë njërin nga rrëmbyesit, i cili doli në rrugë. Ndalova. Pas kësaj ai m’i mori paratë dhe telefonin mobil dhe më urdhëroi të kthehem në Preshevë”,  kishte rrëfyer atëbotë punëtori i „Neza petrol-it“.

Dy orë pas rrëmimit Nebi Nuhiu papritmas i lajmërohet familjes së tij. Kishte thënë se është mirë dhe se gjendet te moteli në Predejan, si dhe në shtëpi do të vinte auto-stop. Nga ai moment më kurrë nuk është shfaqur e as i është lajmëruar familjes.

Lidhur me rastin e rrëmbimit të biznismenit të njohur preshevarë dhe pronar i pikës së karburantit, janë marrë veçmas mediat shqiptare. Zyrtarët e skenës politike shqiptare e kishin dënuar „zhdukjen“ e tij, ndërkohë që rasti si i tillë kishte futur një psikozë dhe shqetësim të shtuar në raportet serbo – shqiptare.

Dy ditë pas rrëmbimit, familjen Nuhiu e vizitojnë dy isnpektor të Sekretariatit të punëve të brendshme (SPB) të Vranjës. Ishin prezentuar me emrat Voja dhe Vujica. Ata kishin bindur familjen se rasti do të zgjidhej brenda disa ditësh, ndërkohë që për rrëmbimin iu kishin thënë të mos kontaktonin me asnjë person tjetër. Kishin kërkuar që të gjithë të kenë durim, meqë për zgjidhjen e këtij rasti duhej kohë.

Nga ajo kohë familja Nuhiu dhe zyrtarët nga Presheva në shumë raste iu ishin drejtuar SPB-ës në Vranjë dhe shefit të Trupit koordinues në Bujanoc, mirëpo për rrjedhojë nuk pati asnjë rezultat.

Nga ajo periudhë mbeti i shënuar edhe rasti se rrëmbyesit sërish u paraqitën shtatë ditë pas rrëmbimit duke kërkuar me atë rast 100.000 marka gjermane. Ndaj kërkesës së familjes për t’u dëgjuar me Nebiun, njëri prej rrëmbyesve kishte thënë se „kjo nuk ishte e mundur, meqë ai ndodhet në Mal të Zi“.

Një vit pas rrëmbimit, Këshilli për të drejtat e njeriut në Bujanoc iu kishte drejtuar MPB të Serbisë, ndërsa kjo e fundit Familjes Nuhiu iu kishte drejtuar me një shkresë.

– Në bazë të të dhënave dhe njoftimeve të grumbulluara, është konstatuar se pjesëtarët e policisë kishin ushtruar fletëparaqitje penale kundër personave NN, si ekzekutues të veprës penale nga neni 64 të Kodit penal të Republikës së Serbisë, e cila iu kishte dorëzuar Prokurorisë publike të Qarkut në Vranjë – thuhej në atë shkresë.

SHËNIMET E NJË PJESËTAREJE TË „OTPOR“-it

Në Forum-in e B92, dy vjet pas rrëmbimit, një pjesëtare e Otporit më 29 dhjetor 2002 kishte lënë këtë shënim:

„Kisha rastin ta njihja familjen e të ndjerit Nuhiu – bashkëshorten, të birin dhe vëllaun e tij. I kam njohur vitin e kaluar, deri sa për ditë të tëra me dhjetëra orë prisnin në holin e Kuvendit të komunës së Bujanocit, në pritje të ndonjë pranimi. Një ditë iu afrova duke i pyetur nëse mund t’iu ndihmoj. I vetmi pjesëtarë i familjes që e kuptonte serbishten ishte vëllau i Nebiut, i cili sqaroi se me ditë të tëra janë duke pritur për pranim te Çoviqi ose te ndonjë tjetër person nga kabineti i tij. Pas shkëmbimit të disa fjalive, bashkëshortja e Nebiut nxori para duke m’i futur në grush. Eh, kjo më tronditi. Ishte mësuar të jipte para për ta fituar atë që i takonte me ligj. Gjesti i kësaj gruaje ma bëri të ditur se Serbia ishte në po të njëjtin vend ku e kishte lënë Slloba kur kishte fluturuar për në Hagë. Më vonë këtë familje e kam takuar edhe disa herë. Në njërin prej takimeve më patën thënë se Çoviq ka premtuar se Novica Zdravkoviq, kryeshefi i atëhershëm i MUP-it të Vranjës, do të bëjë gjithëçka që është në fuqinë e tij për gjetjen e fajtorëve.

Në publikimin e FDH „Shqiptarët në Serbi“ thuhet se njëri prej inspektorvëe të SPB në Vranjë me inicialet V.S., i cili kishte ardhur te familja Nuhiu, ishte arrestuar në prill të vitit 2000 dhe iu kishte caktuar paraburgim prej 30 ditësh „për shkak të dyshimit të bazuar se e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, ashtu që në më shumë raste, në mënyrë të kundërligjshme kishte përvetësuar para në shumën deri tani të konstatuar prej 1.700.000 dinarë, ndërkaq në dëmë të Nuhiut.

Sipas njohurive nga Këshilli për të drejtat e njeriut, Stankoviq u lirua nga paraburgimi, ndërkaq kundër tij nuk pati inicim të procedurës.

“Për shkak të veprës penale mashtrim, më 11 maj 2001 janë arrestuar ndihmësi i komandantit të SPB-ës në Jagodinë Ranko Deniq dhe Branisllav Nikolliq nga Krushevci, ndërkohë që bashkëpjesëmarrësi i tretë Sllavisha Zdravkoviq, gjithashtu punëtor i MPB-ës, ishte në arrati. Ata e kishin sjellë familjen Nuhiu në lajthitje, duke premtuar rrejshëm se do ta gjejnë Nebiun e rrëmbyer duke ia kthyer atë familjes me një kompensim prej 160.000 markash gjermane, thuhej në publikimin e FDH.

Të arrestuarit nuk u dyshuan si të ndërlidhur me rrëmbimin e Nuhiut.

Për rrëmbimin e këtij biznismeni shqiptar deri më sot nuk ka asnjë të fajësuar, me emër e mbiemër konkret. Mbetjet mortore të Nuhiut nuk janë gjetur. Sipas disa zërave joformal, në këtë rrëmbim ishin të përfshirë disa policës nga jugu i Serbisë./R.I/

 

Tekstet në kuadër të projektit “Drejtësia në jug” pjesërisht financohen nga donacioni i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Opinionet, qëndrimet dhe konkluzionet e paraqitura në tekste janë përgjegjësi ekskluzive e portalit Info Vranjske dhe nuk shprehin opinionet dhe qëndrimet e Qeverisë së SHBA-së.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*