VV-ja kishte mbetur pa gaz në seancën e demarkacionit

VV-ja kishte mbetur pa gaz në seancën e demarkacionit

Deputetët e Vetëvendosjes kishin mbetur pa gaz në seancën ku u ratifikua marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Vetëvendosje sot ndërpreu katër herë seancën për demarkacionin duke hedhur gaz në seancë. Kjo parti kishte edhe më shumë gaz me vete në sallë, por pas ekzaminimeve iu hoqën bombolat tjera të gazit.“S’kishim më gaz, sepse e kishin marrë. Disa herë na kanë larguar për të bërë ekzaminime. Ka qenë një ditë tejet e ngarkuar. S’kishte më gaz, andaj s’kishte pse të qëndronim më aty”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Haxhiu ka thënë se me vendim të partisë, ajo dhe kryetari Albin Kurti ishin të përjashtuar nga gjuajtja me gaz lotsjellës, ndërsa deputetët tjerë kishin shprehur gatishmërinë që të bënin veprime të tilla.


VV do ta çojë në Kushtetuese demarkacionin me Malin e Zi

Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, ka thënë se kjo parti do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për demarkacionin me Malin e Zi, që u miratua sot nga Kuvendi i Kosovës.

Ajo ka thënë se përfshirja e raportit të Komisionit Bulliqi dhe e deklaratës së dy presidentëve ka qenë vetëm që të “lehtësohet” dikush individualisht.

“Ligjin do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, me marrëveshjen bashkëngjitur sepse në ratifikimin e marrëveshjes është cenuar territori i republikës. Kemi shumë fakte për ta deponuar dhe kundërshtuar në aspektin kushtetues këtë ratifikim të deputetëve. Dhjetë deputetë brenda afatit tetëditor mund ta çojnë një votim në Kushtetuese”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Haxhiu ka thënë se qytetarët nuk duhet t’u besojnë premtimeve se liberalizimi do të bëhet së shpejti.

Ajo ka thënë se premtime për liberalizim ka pasur qe 6 vite, sidomos nga presidenti Hashim Thaçi.

Ka kujtuar edhe kushtin e fundit, atë të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj, sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur dhe nuk mund ta luftojë korrupsionin.

“Nuk besoj që do të ketë liberalizim sivjet. Është mashtrim që po u bëhet qytetarëve. Është bërë propagandë e madhe se nëse kalon demarkacioni qytetarët do të fitojnë liberalizimin e vizave. S’kam pa asnjë vend në botë që fal territor për liberalizim”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë po ashtu se kritikat e ambasadorit amerikan Greg Delawie janë të paqëndrueshme.

“Zoti Delawie nuk po dëshiron t’i kuptojë qëndrimet e Vetëvendosjes. Të gjitha janë publike, të argumentuara. Jam e bindur se po të flitej për falje territori të SHBA-së, edhe këta do të vepronin njësoj si ne”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka ripërsëritur kërkesën për dorëheqje të Kadri Veselit nga posti i kryeparlamentarit “për shkak të fyerjeve që po bën ndaj deputetëve”.

Shkruaj koment

Emaili juaj nuk do te publikohet.
Fushat e kerkuara*